Christian Horner ka thyer heshtjen pas shkarkimit befasues nga Red Bull. Duke folur para skuadrës, siç raportoi Sky UK, ish-shefi i ekipit rrëfeu ndjesitë e para pas komunikimit të marrë nga menaxhmenti i grupit austriak.
“Dje u informova nga Red Bull se, nga pikëpamja operative, nuk do të jem më i përfshirë në aktivitetin apo ekipin”, shpjegoi Horner përpara anëtarëve të skuadrës në Milton Keynes. “Gjithsesi do të mbetem në varësi të kompanisë, por nga ana operative, stafetën do ta marrë dikush tjetër: ishte një tronditje për mua”.
Horner do të mbetet zyrtarisht nën kontratë deri në fund të vitit në një regjim të ashtuquajtur “gardening leave”, pa pasur rol aktiv brenda ekipit. “Kam pasur mundësi të reflektoj gjatë 12 orëve të fundit dhe kam dashur të jem përballë jush për të ndarë këtë lajm dhe për të shprehur mirënjohjen time për çdo anëtar të skuadrës që ka dhënë kaq shumë gjatë këtyre 20 viteve e gjysmë”, vazhdoi ai.

Horner kujtoi rrugëtimin e gjatë me Red Bull-in: “Kur erdha para 20 vitesh, kisha disa flokë gri më pak. Hyra në një skuadër dhe nuk dija çfarë të prisja, por u prita menjëherë mirë dhe filluam të ndërtonim atë që u bë një fuqi në F1. Të shihja dhe të isha pjesë e kësaj skuadre ka qenë privilegji më i madh i jetës sime”.
Së fundi, një vështrim drejt të ardhmes dhe një fije hidhërimi për faktin që nuk do të jetë më pjesë e saj: “Kam luftuar shumë, kam bërë më të mirën time, kam dhënë gjithçka dhe tani gjithçka përfundon. Ajo që na pret me motorin e ri është vërtet emocionuese: do të më vij shumë keq që nuk do të jem këtu për të parë performancën e tij”.



