Hulkenberg flet pas podiumit të parë në karrierë
H

Hulkenberg flet pas podiumit të parë në karrierë

Piloti gjerman Nico Hulkenberg më në fund e priti atë ditë, podiumin e parë në karrierë.

Pas 239 garash, ky veteran në timonin e Sauber-it më në fund e përfundoi një garë në mesin e tre të parëve, në pistën ikonike të Silverstone, për Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe, dhe kjo ndodhi pasi në kualifikime ishte renditur në vendin e parafundit.

Ai përfundoi garën pas dyshes së McLaren-it, Lando Norris dhe Oscar Piastri, duke lënë pas Lewis Hamiltonin, Max Verstappenin, Pierre Gaslyn, Lance Strollin…

Zhurmën më të madhe nuk e shkaktoi fitorja e Lando Norrisit, por pikërisht ekipi i Sauber-it, i cili brohoriste për “fitimtarin” e ditës.

“Ka kaluar shumë kohë, apo jo? E dija që mund ta arrinim këtë, e kisha diku brenda vetes. Çfarë gare! Nisa pothuajse i fundit, gjithçka duket paksa e pabesueshme”, tha Hulkenberg pas garës dhe shtoi:

“Nuk jam i sigurt se çfarë ndodhi dhe si, por kushtet ishin të çmendura, shi, pastaj diell. E gjithë gara ishte një luftë për të qëndruar në pistë, një betejë për mbijetesë. Mendoj se morëm vendimet e duhura në kohën e duhur, i ndërruam gomat në momentin e saktë, nuk bëmë gabime. Dhe po, gjithçka ishte fantastike”.

Për podiumin e tij të parë pas 239 garash, ai tha:

“Nuk e besoja këtë rezultat deri në ndalesën e fundit në bokse, pastaj pashë që po i shpëtoja Hamiltonit një xhiro para fundit dhe i thashë vetes: ‘OK, kjo është mirë’. Munda të merrja frymë, por e dija që Lewis mund të ndëshkonte çdo gabim, sado i vogël. Po më shtynte fort, gara ishte shumë e tensionuar. Nuk u dorëzuam. Nuk bëmë gabime dhe është e qartë që jemi shumë të lumtur për gjithçka”.

Britanikët nuk i panë dy bashkëkombësit e tyre në podium, pikërisht për shkak të Hulkenbergut.

“E dija që Hamilton do të jepte gjithçka para tifozëve të tij, por edhe unë i thashë vetes: ‘Më falni, por kjo është gjithashtu edhe dita ime’. Më duhej të nxirrja kokën nga kokpiti pas kalimit të vijës së finishit. Jam jashtëzakonisht i lumtur. Faleminderit të gjithëve këtu për energjinë dhe mbështetjen e pabesueshme çdo vit”.

TË FUNDIT