Boksieri profesionist shqiptar, Benjamin Imeri, nga Gostivari në Maqedoninë e Veriut, do të luftojë për titullin botëror muajin e ardhshëm në Tiranë.
Fillimisht, Benjamin ishte planifikuar të zhvillonte këtë ndeshje në Londër për titullin WBO – Kampion i Botës deri në moshën 25 vjeç. Por për shkak të disa pengesave burokratike, meçi u anulua, përcjell AutoPortali.
Megjithatë, Imeri nuk u dorëzua dhe tani ka gjetur një vend të ri për këtë sfidë të rëndësishme.
Më 11 korrik, në Tiranë, në një ngjarje të madhe sportive, Benjamin do të garojë për titullin botëror të të rinjve në versionin WBO (WBO World Youth Champion).
Kjo ngjarje, e titulluar “Stars of the Ring”, do të zhvillohet në Amfiteatrin e Tiranës duke nisur nga ora 18:00.
Boksieri i njohur si “The Bomber” ka një rekord të shkëlqyer në boksin profesionist, me 10 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.



