Fiorentina ka shfaqur interes për mesfushorin e kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, i cili aktualisht është pjesë e Interit.
Skuadra italiane e sheh 22-vjeçarin si një përforcim të rëndësishëm për mesin e fushës në sezonin e ardhshëm, por transferimi i tij nuk është i lehtë për t’u realizuar.
Asllani nuk është në planet e trajnerit të ri të Interit, Cristian Chivu, i cili ka marrë drejtimin pas largimit të Simone Inzaghit.
Megjithatë, pengesa kryesore për momentin është vlera që Interi i ka vendosur lojtarit.
Sipas “Corriere dello Sport”, klubi Italian kërkon nga 18 deri në 20 milionë euro për kartonin e Asllanit, një shifër që Fiorentina nuk është në gjendje ta përballojë në këtë fazë të merkatos, transmeton AutoPortali.
Kristjan Asllani ka kontratë me Interin deri në vitin 2028, pas transferimit të tij nga Empoli në vitin 2023, për një shumë prej 15.7 milionë eurosh.
Edhe pse nuk ka qenë një titullar i padiskutueshëm, Asllani ka treguar vlera të konsiderueshme kur është aktivizuar.
Në sezonin e kaluar, ai regjistroi 39 paraqitje në të gjitha garat, duke kontribuar me 3 gola dhe 3 asistime, një bilanc pozitiv për një mesfushor qendror në një skuadër me konkurrencë të lartë si Interi.
Për momentin, mbetet për t’u parë nëse Interi do të jetë i gatshëm të ulë kërkesat financiare, apo nëse ndonjë klub tjetër do të hyjë në garë për shërbimet e tij.
Ajo që duket e sigurt është se e ardhmja e Asllanit është larg “San Siros”, dhe se ai mund të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos verore për lojtarët shqiptarë. /AutoPortali



