Ish-kampioni i botës në Formula 1, Sebastian Vettel i ka dhënë një mesazh kampioni aktual Max Verstappen dhe Red Bull-it që të “qëndrojnë të bashkuar” ndërsa po kalojnë disa vështirësi në kampionatin e sivjetmë.
Verstappen ka fituar katër tituj kampionë radhazi nga viti 2021 deri në 2024 dhe duket se këtë sezon do ta ketë të vështirë të fitojë titullin.
Red Bull është prapa rivalit kryesor, McLaren, i cili ka fituar tri nga katër garat, por Verstappen gjithsesi mbetet në garë për titull.
“Mendoj se duhet të qëndrojnë të bashkuar, pas kaq shumë vitesh bashkëpunimi… Disa njerëz kanë ardhur, disa janë larguar, por kjo ndodh gjithmonë dhe është normale në Formula 1. Duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të gjejnë një mënyrë për të qenë sërish konkurrues”, tha Vettel.

Ai është i vetëdijshëm për çfarë lloj kampioni po flet kur bëhet fjalë për Verstappenin.
“Max është një talent i jashtëzakonshëm, është pjekur aq shumë gjatë viteve saqë mendoj se garat e tij janë shumë më ndryshe nga sa ishin më parë dhe se tani garon me shumë më tepër zgjuarsi. Kjo është përparim, nuk është vetëm çështje kohe xhiroje apo performance. Është më konstant, më i besueshëm, dhe për këto gjëra nevojitet kohë. Ai sheh përpara, njeh rastet që i paraqiten. Nëse i jepet një mundësi, ai do ta shfrytëzojë agresivisht. Ka vetëkontroll të shkëlqyer, prandaj është një nga kundërshtarët më të rrezikshëm. Kur kombinohen agresiviteti me përvojën, atëherë del në pah shpejtësia natyrore që ai ka, dhe është kënaqësi ta shikosh, kjo do të jetë faktori vendimtar,” shpjegoi gjermani.



