Ish-piloti i njohur i Formula 1, Martin Brundle, ka ngritur alarmin për ekipin McLaren, duke theksuar se skuadra britanike mund të detyrohet të marrë një vendim strategjik në lidhje me pilotët e saj: Oscar Piastri apo Lando Norris.
Sipas Brundle, gara për titullin e këtij sezoni mund të kërkojë një fokus të përqendruar në njërin prej tyre.
Pasi kanë kaluar gjashtë gara këtë sezon, australiani Oscar Piastri kryeson me 16 pikë më shumë se shoku i tij i skuadrës, Norris, ndërkohë që gara e radhës pritet të zhvillohet në pistën e Emilias Romanje.
Në renditjen e përgjithshme, Max Verstappen i Red Bull qëndron në vendin e tretë, me 32 pikë më pak se lideri aktual.
Brundle paralajmëron se situata mund të komplikohet më tej nëse piloti i Red Bullit, Verstappen, dhe George Russell nga Mercedes vazhdojnë me paraqitje të mira. Veçanërisht, përmirësimet që priten nga Mercedes në garën e Imolas mund të ndikojnë ndjeshëm në balancin e forcave në kampionat.
“Problemi që mund të ketë McLaren është nëse Verstappen dhe Russell vazhdojnë me rezultate të mira, veçanërisht duke pasur parasysh që Mercedes po përgatit përmirësime për Imolan. Natyrisht, të gjitha skuadrat do të përmirësohen, por ky mund të jetë një moment kyç për McLaren,” u shpreh Brundle për Sky Sports.
Ai shtoi se ndryshe nga McLaren, Verstappen nuk ka sfidë brenda ekipit nga shoku i tij, Yuki Tsunoda, dhe kjo i ka dhënë atij hapësirën për të maksimizuar çdo rezultat në pistë.

“Nëse McLaren nuk merr një vendim të qartë, ka rrezik që Piastri dhe Norris t’i marrin pikë njëri-tjetrit. Ata duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos përqendrohen tepër në konkurrencën e brendshme, sepse në atë rast rrezikojnë t’u ikë titulli nga duart, siç ndodhi me Alain Prost në vitin 1986,” paralajmëroi Brundle.
Në një sezon që duket më i hapur se zakonisht, McLaren duhet të bëjë jo vetëm zgjedhje teknike, por edhe strategjike për të mos humbur një mundësi të artë për titullin.



