Juventusi ka refuzuar një ofertë të majme nga Chelsea për talentin turk Kenan Yildiz. Sipas La Gazzetta dello Sport, londinezët ofruan mes 65 dhe 68 milionë euro për 20-vjeçarin, por bardhezinjtë nuk u tunduan.
Interesimi i Chelseat u udhëhoq drejtpërdrejt nga trajneri Enzo Maresca, i cili e ndjek Yildiz që nga koha kur luante për Bayern Munich. Megjithatë, drejtuesit e Juventusit kanë qenë të prerë: lojtari nuk është në shitje, transmeton AutoPortali.
Pavarësisht marrëdhënieve të mira mes dy klubeve, Juventusi nuk ka lënë vend për negociata. Refuzime të ngjashme kanë marrë më herët edhe Barcelona dhe Bayern Munich, ndonëse interesimi i tyre ishte më i zbutur.
Në Torino, Yildiz shihet si pjesë thelbësore e projektit afatgjatë. Kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2029, por “Zonja e Vjetër” tashmë po punon për një zgjatje deri në 2030, që do të përfshijë një rritje të ndjeshme page – deri në 4 milionë euro në vit plus bonuse. /AutoPortali



