KFOR-i angazhohet në shuarjen e zjarreve në Kosovë me helikopterë amerikanë
K

KFOR-i angazhohet në shuarjen e zjarreve në Kosovë me helikopterë amerikanë

Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR, përmes trupave ajrore amerikane të caktuara në Komandën Rajonale-Lindje, ka ndërhyrë për të ndihmuar Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave në Kosovë në përballimin e zjarreve që kanë përfshirë disa pjesë të vendit ditët e fundit.

Dy helikopterë amerikanë të tipit UH-60 Black Hawk, të pajisur me kovë speciale zjarrfikëse “Bambi Bucket”, kanë realizuar dhjetëra hedhje ajrore të ujit mbi zonat e prekura nga flakët. Brenda një periudhe dyorëshe, janë kryer 18 hedhje ajrore, duke shpërndarë mbi 43 mijë e 500 litra ujë në përpjekje për të vënë nën kontroll zjarret që rrezikojnë popullatën civile dhe infrastrukturën lokale.

Nga KFOR u theksua se ky aksion dëshmon gatishmërinë për reagim të shpejtë dhe përkushtimin e palëkundur për të ndihmuar autoritetet civile dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve gjatë krizave.

“Misioni ynë vazhdon të zbatohet në përputhje me mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR ka nënvizuar se po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.

TË FUNDIT