Andrea Kimi Antonelli kryeson sesionin e parë të testeve të Bahreinit, duke shënuar kohën më të shpejtë. Pas tij renditen Liam Lawson me Red Bull dhe Alexander Albon me Williams, ndërsa Lewis Hamilton e mbylli mëngjesin në vendin e pestë.
Andrea Kimi Antonelli ka dhënë sinjale premtuese në debutimin e tij në testet e Bahreinit, duke regjistruar kohën më të shpejtë në katër orët e para të provave. Piloti italian i ri i Mercedesit shënoi 1 minutë, 31 sekonda e 428 të mijtat, duke kryesuar klasifikimin e sesionit të mëngjesit.
Liam Lawson me Red Bull e ndoqi nga afër me një diferencë prej vetëm 132 të mijtave, ndërsa Alexander Albon me Williams-Mercedes qëndroi i treti, vetëm 13 të mijtat pas neozelandezit.
Yuki Tsunoda (VISA Cash App Racing Bulls) dhe Lewis Hamilton me Ferrarin e plotësuan pesëshen e parë, me britanikun që shënoi një vonesë prej 406 të mijtave ndaj kohës më të mirë të Antonellit.
Në top dhjetëshe u renditën gjithashtu Jack Doohan (Alpine), Fernando Alonso (Aston Martin-Mercedes), Oscar Piastri (McLaren-Mercedes), Nico Hülkenberg (Sauber) dhe Oliver Bearman (Haas-Ferrari).



