Pas pezullimit 18-mujor për përdorim të substancave të ndaluara, Paul Pogba është pranë rikthimit në futboll. Mesfushori francez është në bisedime me Monacon, por së fundmi është futur në garë edhe skuadra saudite Al-Ittihad. Monaco ka ofruar një kontratë dyvjeçare dhe shpreson ta përfshijë Pogban në skuadrën që do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm. Megjithatë, sipas “Foot Mercato”, Al-Ittihad synon ta joshë me një ofertë të fuqishme, që do ta bashkonte me yje si Benzema dhe Kanté.
Pogba aktualisht është lojtar i lirë, ndërsa është në pritje për një rikthim të madh përpara Kupës së Botës 2026. Një nga pengesat kryesore në marrëveshjen me Monacon mbetet çështja e të drejtave të imazhit.
Ndërkohë, francezi 31-vjeçar u shfaq së fundmi në SHBA, ku u ribashkua me ish-bashkëlojtarë të Manchester United gjatë Kupës së Botës për Klube. Ai publikoi foto me Sergio Romero, Edinson Cavani, Marcos Rojo dhe Ander Herrera – një takim miqësor që riktheu kujtime nga vitet e tij në “Old Trafford”.



