Një zhvillim i rëndësishëm për sportin kosovar: ish-kampioni olimpik dhe botëror në peshëngritje, Kianoush Rostami, tashmë do të garojë nën flamurin e Kosovës. Shtangisti iranian, 33 vjeç, është pajisur me pasaportë kosovare dhe do të përfaqësojë vendin në garat ndërkombëtare.
Lajmin e ka bërë publik presidenti i Federatës Europiane dhe asaj të Kosovës në peshëngritje, Astrit Hasani, gjatë një interviste për podkastin “Sportfolio” në Radio Dukagjini, përcjell AutoPortali.
Sipas Hasanit, që nga 2 korriku 2025, Rostami do të jetë zyrtarisht pjesë e përfaqësueses kosovare dhe do të debutojë në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Norvegji.
“Kianoush Rostami ka pranuar të përfaqësojë Kosovën duke filluar nga data 2 korrik. Ai do të marrë pjesë në kampionatin botëror dhe kemi pritshmëri të mëdha për medalje. Falënderoj presidenten e vendit për mbështetjen, pasi në kohë rekord u sigurua shtetësia dhe pasaporta tashmë është dorëzuar në Federatën Botërore,” u shpreh Hasani.
Ai gjithashtu bëri të ditur se edhe pse fillimisht Federata e Iranit kishte rënë dakord për transferimin në një takim në Bahrein, në momentin e fundit u tërhoq. Por tashmë, vendimi i bordit ekzekutiv të Federatës Botërore të Peshëngritjes ka konfirmuar të drejtën e Rostamit për të përfaqësuar Kosovën nga muaji korrik.
Për sa i përket sfidave logjistike dhe politike, veçanërisht në kontekstin e tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, Hasani qetëson se situata është nën kontroll:
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Rostamin. Ai ka qenë më parë në Kosovë dhe pritet të rikthehet shumë shpejt për të qenë pjesë e ekipit kombëtar.”
Rostami, i cili mbush 34 vjeç më 23 korrik, ka një karrierë mbresëlënëse: medalist i artë olimpik në Rio 2016, fitues i medaljes së argjendtë në Londër 2012, dy herë kampion bote (2011 dhe 2014) dhe nënkampion në 2015. Suksesi i tij i fundit ndërkombëtar është titulli i kampionit aziatik në vitin 2020.



