Kosovare Asllani e zhgënjyer me eliminimin nga Kampionati evropian
K

Kosovare Asllani e zhgënjyer me eliminimin nga Kampionati evropian

Lojtarja me prejardhje shqiptare, Kosovare Asllani shënoi gol që në minutën e 2-të për Suedinë ndaj Anglisë, në çerekfinalen e Euro 2025 që po zhvillohet në Zvicër, mirëpo epërsia e hershme nuk është që i siguroi skandinave fitoren e ndeshjes .

Asllani u zëvendësua në minutën e 77-të dhe menjëherë pas kësaj, Anglia barazoi shpejt me dy gola në minutat 79 dhe 81, andaj ndeshja shkoi në penallti, ku Anglia siguroi kalimin në gjysmëfinale.

E dëshpëruar, Asllani nuk konfirmoi nëse kjo ishte ndeshja e saj e fundit me Suedinë, megjithëse kishte paralajmëruar largimin pas këtij Evropiani, ajo theksoi se ndien “zbrazëti të madhe” dhe nuk mund të besojë eliminimin.

Asllani ka 203 ndeshje dhe 50 gola për Suedinë. Është lojtarja më e vjetër që ka shënuar në çerekfinale të një Evropiani dhe e vetmja që ka luajtur në çdo çerekfinale që nga viti 2009.

Megjithatë, pas kësaj humbjeje, as rekordet nuk e ngushëlluan.

“Kemi pasur ekip për ta fituar turneun. Nuk mund të pajtohem që jemi jashtë,” u shpreh ajo.

Megjithatë, pavarësisht nëse largohet tani apo jo, Asllani mbetet një emër legjendar në futbollin suedez dhe botëror.

TË FUNDIT