AC Milan nuk ka ndërmend të ndahet nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, Rafael Leao, por nuk e përjashton mundësinë e një transferimi, nëse vjen një ofertë që nis nga 85 milionë euro.
Edhe pse klubi e sheh sulmuesin portugez si pjesë qendrore të projektit të tij sportiv, dritarja e merkatos mund të sjellë zhvillime të papritura.
Leao, 25 vjeç, ka pasur një sezon shumë të suksesshëm me Milanin, duke shënuar 12 gola dhe dhënë 13 asistime në 50 paraqitje në të gjitha garat gjatë sezonit 2024/25.
Forma e tij konstante dhe roli vendimtar në skuadër e kanë bërë atë një element të pazëvendësueshëm në formacionin e trajnerit Massimiliano Allegri, i cili e sheh portugezin si liderin e repartit ofensiv.
Futbollisti ka kontratë me Milanin deri në qershor të vitit 2028, çka i jep klubit një pozicion të fortë negociues.
Megjithatë, interesimi për të është duke u shtuar nga disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Sipas mediave italiane, Paris Saint-Germain, Bayern Munich dhe Manchester City janë vetëm disa nga emrat që raportohen të jenë duke monitoruar nga afër situatën e tij, transmeton AutoPortali.
Drejtuesit e Milanit janë të vetëdijshëm për vlerën dhe potencialin e Leao-s, andaj nuk kanë qëllim ta shesin, por nuk do ta injorojnë një ofertë që do të ishte e vështirë për t’u refuzuar, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë sportiv.
Nëse ndonjë klub arrin të përmbushë kërkesat ekonomike dhe të paraqesë një projekt serioz për të ardhmen e lojtarit, atëherë Milani do të jetë i hapur për të nisur bisedimet.
Megjithatë, klubi italian e ka bërë të qartë se një transferim i mundshëm nuk do të ndodhë lehtë dhe se nuk do të bëhet kompromis për një nga asetet më të rëndësishme të ekipit.
Merkatoja verore mbyllet më 31 gusht 2025 dhe deri atëherë shumë mund të ndodhë, por për momentin, mesazhi nga Milano është i qartë dhe vetëm një ofertë jashtëzakonisht e lartë dhe një projekt serioz do të bënte që Leao të largohet nga San Siro. /AutoPortali



