Leao zbulon strategjitë e reja të Allegrit tek Milani
L

Leao zbulon strategjitë e reja të Allegrit tek Milani

Ylli portugez i Milanit, Rafael Leao, ka folur me entuziazëm për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në skuadër pas ardhjes së trajnerit të ri, Massimiliano Allegri.

Në një intervistë përpara ndeshjes miqësore ndaj Perth Glory, sulmuesi ka theksuar se Milani po ndërton një ekip të fortë dhe një frymë të re që do ta bëjë skuadrën konkurruese në sezonin e ardhshëm.

“Gjithçka ka ndryshuar krahasuar me të kaluarën,” tha Leao. “Këtë vit Milani do të jetë një ekip i vërtetë. Kemi lojtarë të rëndësishëm që mund të bëjnë diferencën, por mbi të gjitha do të ketë një frymë të shkëlqyer ekipi.”

Portugezi gjithashtu përgëzoi tifozët e Rossonerëve që kanë udhëtuar në Australi dhe kanë krijuar një atmosferë mbështetëse në stadium.

“Ka shumë prej tyre dhe mund të ndjesh mbështetjen e tyre. Është shumë mirë për ne që luajmë në këtë gjendje. Jemi shumë të lumtur që kemi marrë këtë mirëseardhje dhe do të përpiqemi t’ua shpërblejmë tifozëve me një performancë të mirë kundër Perth.”

Leao vlerësoi përvojën e trajnerit Allegri dhe kombinimin mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë në skuadër.

“Ne kemi një trajner me përvojë që ka fituar tashmë këtu në Milan. Jemi një grup i ri, me disa lojtarë me përvojë që kanë qenë këtu për një kohë të gjatë. Po ndërtojmë ekipin me frymën e duhur që na ndihmon edhe në momentet kur nuk po luajmë mirë.”

Nën drejtimin e Allegrit, Milani po ndjek një qasje më të matur në menaxhimin e skuadrës dhe merkatos së transferimeve.

Klubi ka përforcuar repartet me blerje të arsyeshme, si ardhja e mesfushorit Samuele Ricci, i cili po përshtatet mirë me skuadrën.

Rossonerët po kërkojnë ende të kompletojnë repartin ofensiv me një sulmues qendror, ndërsa Leao, për momentin, ka luajtur në atë pozicion për shkak të mungesës së Santiago Gimenez, i cili është ende në pushime.

Në këtë drejtim, mediat italiane lidhin Milanin me një interes për sulmuesin e Juventusit, Dusan Vlahovic, si një opsion për të forcuar sulmin dhe për të konkurruar më fuqishëm në kampionat dhe garat evropiane.

Me këto ndryshime dhe ambicie, Milani synon të rikthehet si një prej skuadrave kryesore në Serie A dhe Europë, ndërsa Leao shfaq optimizëm të plotë për sezonin e ri. /AutoPortali

TË FUNDIT