Charles Leclerc nuk e fsheh zhgënjimin pasi përfundoi i katërti në Çmimin e Madh të Hungarisë, garë të cilën e nisi nga pozicioni i parë.
“Nuk kisha të gjithë informacionin në makinë, por kishim një problem me shasinë. Që nga ajo pikë e më tej, isha pasagjer. Këto gjëra janë të pabesueshme. Është shumë frustruese. Nuk mbaj mend asgjë nga kjo pjesë e parë e sezonit”, u shpreh tepër i zhgënjyer piloti i Ferrarit.
Më pas monegasku shtoi: “Në pjesën e parë kishim gjithçka nën kontroll, pak degradim krahasuar me makinat McLaren, por ishim të shpejtë. Edhe në pjesën e dytë, por pastaj humbëm plotësisht ritmin tonë”.
“Jam vërtet i zhgënjyer, sepse kur ka një mundësi, duhet ta shfrytëzosh. Për momentin, kjo është e gjitha që kam nga kjo pjesë e parë e sezonit. Jam i kënaqur me progresin që kemi bërë, por në ditë si kjo, është e vështirë të shohësh diçka pozitive”, përfundoi 27-vjeçari.

Situata e tensionuar mes pilotit dhe ekipit ishte e dukshme që në radion: “Do ta humbasim këtë garë, po humbasim shumë kohë!”, njoftoi Leclerck njoftoi në mes të garës pas Norrisit. Pas ndalesës së dytë të Ferrarit në bokse, Leclerc humbi plotësisht ritmin e garës, duke rënë përfundimisht në vendin e katërt: “Kjo është tepër frustruese. Kemi humbur të gjithë rivalët. Duhet të më dëgjoni. Do të kisha gjetur një mënyrë, por tani makina është thjesht e padrejtueshme”, ishin fjalët e ferraristit.



