Çështja e së ardhmes së mesfushorit Granit Xhaka po diskutohet intensivisht te Bayer Leverkusen, me shumë klube që kanë shfaqur interes për 32-vjeçarin.
Fillimisht u raportua për interesim nga Milani dhe skuadra të tjera italiane, më pas për një kalim të mundshëm në Arabinë Saudite, ndërsa së fundmi janë përfolur Sunderland, i rikthyer në Premier League, dhe Fenerbahçe.
Mediumi “Kicker”, Xhaka vazhdon të stërvitet dhe luajë me Bayer Leverkusenin, duke qëndruar aktualisht me skuadrën në Brazil, transmeton AutoPortali.
Drejtori sportiv i klubit gjerman, Simon Rolfes, foli në një konferencë për shtyp rreth situatës së lojtarit:
“Graniti është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, për klubin dhe për ekipin. Interesi ynë kryesor është që ta mbajmë atë. Sigurisht që ekziston interes për të, por duhet të diskutojmë me lojtarin për të kuptuar ambiciet e tij. Një transferim mund të ndodhë vetëm nëse është fitues për të dyja palët,” deklaroi Rolfes.
Ai shtoi se Bayer Leverkusen ka ende tre vjet kontratë me Xhakën dhe është shumë i kënaqur me performancën e tij.
“Kemi ambicie të mëdha për sezonet e ardhshme, dhe transferimi i tij do të bëhet vetëm në rast se është në interes të klubit, lojtarit dhe të gjitha palëve të përfshira. Aktualisht, synimi ynë është që Graniti të qëndrojë me ne,” tha drejtori sportiv.
Sipas raporteve të fundit, klubi arab Neom SC ka hequr dorë nga gara për Xhakën, pasi ka refuzuar të paguajë shumën prej 20 milionë eurosh për transferimin e tij. /AutoPortali



