Robert Lewandowski ka bërë të ditur se nuk do të luajë për përfaqësuesen e Polonisë për aq kohë sa trajner i saj mbetet Michal Probierz, duke e arsyetuar vendimin me humbjen e besimit në menaxhmentin e tij.
36-vjeçari nuk u ftua për ndeshjet e muajit qershor ndaj Moldavisë dhe Finlandës, duke preferuar të pushojë fizikisht dhe mendërisht – një vendim që, sipas tij, e ka marrë në koordinim me klubin e tij, Barcelonën, tranmseton AutoPortali.
Megjithatë, tashmë kapiteni historik i Polonisë ka deklaruar se nuk do të përgjigjet më ndaj ftesës së kombëtares përderisa Probierz qëndron në detyrë.
“Duke marrë parasysh rrethanat dhe humbjen e besimit në trajnerin aktual, kam vendosur të heq dorë nga paraqitjet me ekipin kombëtar të Polonisë për aq kohë sa ai mbetet në krye,” shkroi Lewandowski në rrjetin social “X”, njofton Gazeta Express.
“Shpresoj që të kem mundësinë të luaj përsëri për tifozët më të mirë në botë,” shtoi sulmuesi, i cili ka zhvilluar 158 ndeshje me Kombëtaren dhe ka shënuar 85 gola – një rekord absolut për Poloninë.
Michal Probierz mori drejtimin e Kombëtares polake në vitin 2023, pasi zëvendësoi Fernando Santosin. Ai më parë kishte drejtuar ekipin U-21 të Polonisë. Nën drejtimin e tij, Polonia u kualifikua në Euro 2024, por nuk arriti të fitojë asnjë ndeshje, duke u eliminuar në fazën e grupeve.
Në miqësoren e fundit, Polonia mposhti Moldavinë me rezultat 2:0.
Nga ana tjetër, Lewandowski ka munguar në disa nga ndeshjet më të rëndësishme të Barcelonës këtë sezon. Megjithatë, ai realizoi 42 gola në 52 ndeshje gjatë sezonit 2024–25, duke përfshirë edhe finalen e Copa del Rey kundër Real Madridit dhe gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit.
Ai u rikthye në tri ndeshjet e fundit të sezonit dhe festoi titullin e kampionit të Spanjës me Barcelonën.



