Luis Enrique flet për përplasjen pas finales së Kupës së Botës për Klube
L

Luis Enrique flet për përplasjen pas finales së Kupës së Botës për Klube

 

Finalja e Kupës së Botës për Klube 2025 mes Chelsea dhe Paris Saint-Germain përfundoi jo vetëm me një fitore të pastër 3:0 për londinezët, por edhe me një incident të shëmtuar pas përfundimit të ndeshjes, që vuri në qendër të vëmendjes trajnerin e PSG-së, Luis Enrique.

Ngjarja ndodhi menjëherë pasi Chelsea siguroi trofeun, incidenti filloi me një debat verbal mes portierit të PSG-së, Gianluigi Donnarumma, dhe sulmuesit të Chelseat, Joao Pedro.

Situata eskaloi kur Enrique u afrua dhe, në një moment të tensionuar, e shtyu brazilianin në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë.

Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë një lojtar të PSG-së duke ndërhyrë për të ndalur trajnerin, ndërsa më pas shpërtheu një përleshje masive mes lojtarëve dhe stafit teknik të të dyja ekipeve, transmeton AutoPortali.

Pas ndeshjes, Enrique u përpoq të minimizojë incidentin, duke dhënë një deklaratë në konferencën për shtyp.

“Në fund të ndeshjes pati një situatë që besoj se mund të ishte shmangur nga të gjithë. Objektivi dhe qëllimi im është të fitoj mbështetjen e lojtarëve dhe të mos ketë probleme. Ka shumë tension, shumë presion”, tha Enrique.

Megjithatë, trajneri spanjoll nuk pranoi përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për shtyrjen, duke deklaruar:

“Kishte një seri shtyrjesh që të gjithë duhet t’i shmangnim dhe nuk duhet të ndodhin përsëri.”

Ndërkohë, protagonisti tjetër i incidentit, Joao Pedro, që më herët kishte shënuar një nga golat e finales, mbeti i përmbajtur në reagimin e tij pas ndeshjes:

“Nuk dua të flas për ta, pasi është plotësisht normale. Secili dëshiron ta fitojë ndeshjen. Mendoj se e humbën kontrollin në fund.”

Incidenti ka ngritur pikëpyetje mbi sjelljen e Enrique-s në një ndeshje kaq të rëndësishme dhe publike. Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) pritet të hapë një hetim zyrtar, dhe nuk përjashtohet mundësia që Luis Enrique të përballet me një dënim, për shkak të veprimit fizik ndaj një lojtari kundërshtar. /AutoPortali

 

TË FUNDIT