Është zakon që prodhuesit e makinave të testojnë modelet konkurruese për t’i krahasuar ato me të vetat, për të zbuluar disa teknologji që u duken interesante. Duket se Ferrari ka blerë Xiaomi SU7 Ultra, pasi ky automjet elektrik kinez premium është parë duke dalë nga fabrika e Ferrarit në Maranello, Bolonja, Itali.
Prodhuesi italian ka shumë të ngjarë të jetë duke testuar automjetin kinez për ta krahasuar atë me platformën e vet dhe makinën elektrike që është në zhvillim e sipër, shkruan Car News China, transmeton AutoPortali.
Blogeri i automobilave Zurich Beileye pohoi se përfaqësuesit e Ferrarit vizituan selinë e Xiaomi vitin e kaluar dhe diskutuan zhvillimin e përbashkët të motorëve elektrikë me efikasitet të lartë të gjeneratës së ardhshme. Bashkëpunimi formal nuk është arritur ende. Ferrari thuhet se po përgatitet të prezantojë modelin e saj të automjetit elektrik deri në fund të këtij viti.

Më parë, Xiaomi SU7 u pa edhe në selinë qendrore të Hyundai në Korenë e Jugut. Ky është një tregues se si po ndryshon industria. Dhjetë vjet më parë, do të kishte qenë e pabesueshme që një prodhues i mirënjohur nga Evropa ose Azia (Volkswagen, BMW, Ferrari, Toyota…) të merrte një makinë kineze si referencë. Xiaomi SU7 Ultra është i pajisur me të njëjtin konfigurim me tre motorë dhe bateri të optimizuar për pista si Xiaomi SU7 Ultra Prototype, i cili vendosi një rekord në Nordschleife (makina elektrike më e shpejtë me katër dyer), me një fuqi maksimale prej 1548 kf.

Me një kohë përshpejtimi nga 0-100 km/orë prej vetëm 1.98 sekondash dhe një shpejtësi maksimale të parashikuar prej 350 km/orë, është projektuar të jetë makina më e shpejtë me katër dyer e prodhuar në masë. Xiaomi SU7 Ultra ka një sistem ftohjeje të optimizuar për pistë dhe thuhet se mund të përfundojë dy xhiro të Nordschleife pa u mbinxehur (më shumë se 40 km).

Xiaomi SU7 Ultra është i pajisur me një sistem frenimi të nivelit të lartë që e ndalon automjetin nga 100 në 0 km/orë në vetëm 30.8 m. Kompania përmend gjithashtu pezullimin dhe elektronikën që përputhen me ambiciet sportive të automjetit.
Çmimi i modelit fillon nga 114,000 dollarë.



