Marc Marquez tregon synimin dhe për kë bën tifo nëna e tij
M

Marc Marquez tregon synimin dhe për kë bën tifo nëna e tij

Marc Marquez është rikthyer në qendër të skenës së MotoGP-së. Pas një periudhe të gjatë vuajtjesh dhe rikuperimi, piloti i Ducati Lenovo Team po udhëheq renditjen botërore për herë të parë që nga viti 2019.

Një moment i artë për tetë herë kampionin, i cili tani sheh më afër se kurrë objektivin madhor: titullin e nëntë dhe barazimin me legjendën Valentino Rossi.

Por suksesi i tij këtë herë vjen në një sfond krejtësisht familjar. Vëllai i tij, Alex Márquez, pilot i Gresini Racing Ducati, është rivali më i afërt në pistë, dhe madje ka fituar zemrën e nënës së tyre, Roser.

“Nëna është gjithmonë me Alexin”, rrëfen Marc me buzëqeshje në një intervistë për BBC. “Më thotë: ‘Ti ke fituar boll, lëre vëllain të fitojë një herë’”.

Pas shtatë garash në sezonin 2025, Marc ka siguruar gjashtë fitore në sprinte dhe tri në gara të gjata. Alex nga ana tjetër ka arritur një fitore në Sprint dhe një tjetër në Grand Prix. Familja Marquez po përjeton një sezon historik: “Po jetojmë një ëndërr. Jemi të parët në kampionat dhe shumë të bashkuar. E ndihmojmë njëri-tjetrin, por gjithsecili ka ambiciet e veta,” thotë Marc.

Nëntë si Rossi

Edhe pse Marc nuk e fsheh afeksionin për vëllain, synimi i tij është i qartë: të shkruajë historinë.

“Po, nëse fitoj këtë titull, barazohem me Valentinon. Është një objektiv që e kam gjithmonë para syve. Kam tetë tituj dhe dua ta arrij të nëntin”, thotë ai me qetësi dhe vendosmëri.

Marquez ka fituar gjashtë tituj në MotoGP, një në Moto2 dhe një në Moto3. Ndërsa sezoni i sivjetshëm po i buzëqesh, ai kujton të kaluarën e afërt me nota reflektimi: “Sfida më e madhe e karrierës sime ka kaluar. Kam qenë shumë pranë tërheqjes pas dëmtimeve që më lanë jashtë për vite”, kujton ai, duke iu referuar frakturave dhe problemeve me shikimin që e munduan mes viteve 2020–2023.

Ndërkohë, tifozët dhe ndoshta edhe nëna Roser do të presin me ankth për të parë se cili Marquez do të ngjitet në majë në fund të sezonit: Marc i pavdekshëm apo Alex i përkëdhelur.

TË FUNDIT