Ish-mbrojtësi i majtë, braziliani Marcelo, e vlerëson Lionel Messin si lojtar të jashtëzakonshëm.
Marcelo, i cili së fundmi e mbylli karrierën si futbollist, thotë se ndihet me fat që e shijoi epokën e argjentinasit, por edhe të portugezit Cristiano Ronaldo.
Natyrisht, tetë herë fituesin e Topit të Artë e konsideron si më të mirin në histori, ndërsa e sheh të panevojshëm krahasimin e tij me “CR7”.
“Messi? Ai është i shkëlqyeshëm, i jashtëzakonshëm. Mundohesha ta fauloja Messin, por nuk mundja dot…”, tha braziliani për “La Revuelta”.
“Nuk ka më të mirë se ai në histori. Ne jemi me fat që kemi luajtur në të njëjtën epokë me Cristiano Ronaldon dhe me Leo Messin. Ishte një periudhë kur të dy ishin absolutisht të ‘çmendur’, kur njëri i shënonte dy gola, tjetri i realizonte tre”.
“Ne i kemi parë këta të dy ‘live’ dhe i kemi shijuar shumë. Shumë njerëz duan ta bëjnë krahasimin mes tyre, por harrojnë t’i shijojnë të dy”, përfundoi Marcelo.



