“Kanibali” Marc Marquez po kalon një formë spektakolare në MotoGP, duke lënë pas rivalët, përfshirë edhe të vëllanë, Alex Marquez. Diferenca mes tyre ka shkuar në 120 pikë, ndërsa kampioni në fuqi, Pecco Bagnaia, është 168 pikë larg në vendin e tretë.
Pas fitores në Çmimin e Madh të Çekisë, Marquez u shpreh i sigurt: “Vetëm unë mund të humbas titullin”. Me këto ritme, titulli i nëntë duket një formalitet, dhe mbetet për t’u parë ku do ta kurorëzojë këtë sukses historik, ndoshta edhe në Misano, pranë shtëpisë së rivalit të përjetshëm, Valentino Rossi.
I pyetur nga një gazetar italian nëse do t’i pëlqente të fitonte pikërisht aty, Marquez reagoi me humor, por kujtoi edhe mësimet nga sezoni 2014: “Duhet të jem i kujdesshëm, sepse janë ende shumë gara”.

Spanjolli theksoi se pavarësisht avantazhit të madh, do të vijojë të jetë i përqendruar: “Do përpiqem të marr maksimumin çdo fundjavë, por nuk do të jetë gjithmonë e lehtë”.



