Me pauzën 3-javore që po i afrohet fundit, Botërori 2025 i Formula 1 rikthehet këtë fundjavë me Çmimin e Madh të Belgjikës në Spa, që shënon ndalesën e 13-të të sezonit. Ndërsa motorët janë në pushim, merkatoja e pilotëve është ndezur më shumë se kurrë dhe në qendër të vëmendjes është e ardhmja e Max Verstappen.
Zak Brown, drejtori ekzekutiv i McLaren, në një intervistë për ESPN, shprehu shqetësimin e tij për një kalim të mundshëm të Verstappen te Mercedes.
“Është një perspektivë e frikshme”, tha ai. “Mercedes është në rritje dhe Red Bull nuk po kalon një moment të mirë. Max është një talent i jashtëzakonshëm dhe do të ishte një rival shumë serioz”.
Ndërkohë, ish-piloti dhe analisti Martin Brundle mendon se Verstappen do të qëndrojë te Red Bull. Ai thotë se largimi i Christian Horner nga drejtimi i ekipit, për shkak të një konflikti personal me familjen Verstappen, mund të ndikojë që Max të vazhdojë aty. Sipas Brundle, si Max ashtu edhe babai i tij Jos kanë pasur rol në largimin e Horner.



