Alvaro Morata mund të rikthehet për herë të katërt në Serie A, kësaj radhe me fanellën e Como-s, transmeton AutoPortali.
Pas aventurave me Juventusin dhe një periudhe te Milani, sulmuesi spanjoll duket pranë një tjetër etape në futbollin italian.
Aktualisht, 32-vjeçari është në huazim te Galatasaray, nga Milan, me kontratë që zgjat deri në janar. Megjithatë, sipas “Sky Sport”, së fundmi ka pasur kontakte mes tij dhe trajnerit të Como-s, Cesc Fabregas, duke e shtuar mundësinë e transferimit në klubin që sapo është ngjitur në Serie A.
Ende nuk dihet nëse Galatasaray do të lejojë largimin e parakohshëm të lojtarit, duke qenë se në janar pagoi 6 milionë euro për huazimin e tij.
Ndërkohë, edhe Getafe, klubi i fëmijërisë së Moratës, mbetet në garë për shërbimet e tij, pasi vetë lojtari ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer aty në fund të karrierës.
Pavarësisht kësaj, për momentin Como duket si destinacioni më i afërt, me zhvillimet që pritet të qartësohen gjatë javëve në vijim.



