Vedat Muriqi e ka rikthyer formën ideale të tij. Ylli kosovar ishte protagonist i Mallorcas në fundjavën që shkoi duke i realizuar dy gola në fitoren ndaj Las Palmas (3-1) në pjesën e parë.
30-vjeçari ishte i pandalshëm për kundërshtarët dhe me meritë u zgjodh lojtari i ndeshjes.
Por, jo vetëm kaq. Paraqitja e sulmuesit dardan u vlerësua fort edhe nga faqja e specializuar për vlerësimin e lojtarëve, “Sofascore”.
Kjo e fundit e përfshiu prizrenasin në formacionin e javës së 24-t të La Ligas.
Ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahces e Lazios u vlerësua me notën 8.2.
Me këtë rast, përfaqësuesi kosovar i la jashtë ekipit ideal të javës në Spanjë yjet si Mbappe, Lewandowski, Vinicius, Yamal e të tjerë.
Muriqi ka realizuar gjashtë gola në këtë sezon në La Liga, ndërsa i ka bërë edhe dy asistime.

Përkundër vështirësive me të cilat u përball në këtë sezon, mes lëndimesh e rënies së formës, Muriqi shënoi veç një gol më pak se në sezonin e kaluar.
Pa dyshim, Vedat Muriqi ka qenë hero i Mallorcas në tri sezonet e fundit.



