“Ndizet” beteja brenda McLarenit

“Ndizet” beteja brenda McLarenit

Që nga Çmimi i Madh i Kanadasë, një “luftë” ka shpërthyer mes dy pilotëve të McLaren. Në Montreal kulmoi me atë përplasje të makinave, teksa Lando Norris e goditi nga pas Oscar Piastrin.

Britaniku, fajtor për aksidentin, përfundoi jashtë, ndërsa piloti australian u shpreh se ajo që ndodhi nuk ishte sigurisht diçka e mirë, por theksoi se skuadra McLaren u ka dhënë liri për të garuar, duke lënë kështu të hapur një sërë mundësish për t’u sfiduar përsëri në pistë.

Betejë e ekulibruar

Edhe pse fillimisht ishte Norris ai që shihej si një hap përpara në duelin për titull, Piastri fitoi shpejt terren, duke qenë ai lideri i kampionatit, për t’u treguar më i shpejtë dhe më i saktë se shoku i ekipit. Por, në dy garat e fundit Norris është rikthyer fuqishëm, me fitore në Austri dhe në Britaninë e Madhe, duke e ngushtuar ndjeshëm diferencën e pikëve në renditje. Tani, diferenca është vetëm 8 pikë në favor të Piastrit, kur ka përfunduar gjysma e sezonit në Formula 1.

Lando, pasi arriti fitoren e tij të dytë radhazi brenda një sezoni, hera e parë në karrierë për të, pranoi se po e çon luftën për titull garë pas gare.

“Gjithmonë mund ta konsiderosh një impuls apo çfarëdo qoftë, por unë nuk mendoj kështu. I jap meritat Oscarit, sepse pati një garë shumë të mirë. Janë dy fitore, por nuk ishin të lehta në asnjë mënyrë. Kemi pasur disa përballje të mira, por janë fundjava mjaft të lodhshme, sepse lufton për të qindtat dhe të mijëtat e sekondës. Përpiqesh për përsosmëri në çdo seancë”, deklaroi Norris, i cili, pavarësisht se kaloi vijën e finishit 6 sekonda përpara çdo piloti tjetër, pranoi se nuk ishte e lehtë të fitonte duke pasur parasysh nivelin e performancës së shokut të tij të skuadrës.

Shpërthimi i Piastrit

Në Britaninë e Madhe u panë dy anët e monedhës te McLaren, festë dhe pakënaqësi. Kjo ndodhi sepse, për herë të parë këtë vit, Oscar Piastri u pa dukshëm i frustruar pas rezultatit.

“Mendoj se është hera e parë që një djalë shumë i mirë me një temperament të pabesueshëm ka dalë duke u shfaqur i mërzitur pas garës dhe nuk e fajësoj për këtë”, tha Peter Windsor, gazetar i Formulas 1. Pasi mori penalizimin prej 10 sekondash për frenim të fortë pas Makinës së Sigurisë, australiani u shfaq i hutuar në fund të së dielës. “Me sa duket, nuk mund të frenosh më pas Makinës së Sigurisë. E bëra për pesë xhiro para kësaj dhe përsëri nuk do të them shumë se kaq, sepse do të futem në telashe”, ishin fjalët e Piastrit.

TË FUNDIT