“Superkompjuteri” i Opta-s ka përditësuar të dhënat e tij pas ndeshjeve të para çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve dhe ka publikuar probabilitetet për fitimin e trofeut nga secila skuadër, bazuar në analizën statistikore të numrave.
Favoriti i ri, që i ka parakaluar të gjithë, është Arsenali, i cili mposhti Real Madridin 3-0 në Londër. Skuadra e Mikel Artetas ka tashmë probabilitet prej 27.8% për ta fituar trofeun e Championsit.
Para kësaj përballjeje me madrilenët, Arsenali ishte në vendin e tretë me 15.6%. Sipas statistikave, “Topçinjtë” kanë 95.7% mundësi për t’u kualifikuar në gjysmëfinale. Për Real Madridin, kampionin në fuqi të kompeticionit, shanset për ta fituar finalen e Mynihut janë vetëm 0.9%.
Në vendin e dytë është Barcelona, që pas fitores së thellë 4-0 ndaj Borussia Dortmund ka 25.9% shanse për të triumfuar në Mynih.
Në vend të tretë është PSG. Edhe në këtë rast, kuotat janë rritur pas fitores 3-1 ndaj Aston Villa. PSG ka 91.5% mundësi për ta kaluar turin çerekfinal dhe 21.9% për ta fituar kompeticionin.
Në vend të katërt është Interi i Simone Inzaghit. Pas fitores në Bavari ndaj Bayern Munich, zikaltërit kanë 19.8% shanse për ta fituar Champions League. Për klubin bavarez, shanset për të fituar në “Allianz Arena” më 31 maj kanë rënë në 3%. Probabiliteti që Interi të shkojë në gjysmëfinale është 82%, ndërsa për të arritur në finale 41.5%.



