Superliga e Kosovës në basketboll nis me ndeshjet e rrethit yë katërt, që zhvillohen në këtë fundjavë.
Sigal Prishtina dhe Proton Cable Prizreni ndeshen në kryeqytet, me të dy skuadrat që kanë pasur formë të ndryshme së fundi. Bardhekaltrit kanë shtatë fitore radhazi në elitë, duke mos pësuar humbje në vitin 2025 në ProCredit Superligë, derisa prizrenasit janë në vështirësi, pasi ndodhen në pozitën e fundit me 5 fitore e 16 humbje, derisa prishtinasit janë në vendin e tretë me 13 fitore e 8 humbje.
Takim interesant shihet ai ndërmjet Pejës dhe Vëllaznimit, vendit të pestë dhe katërt në renditje. Verdhezinjtë kanë 10 fitore e 11 humbje, kurse kuqezinjtë 11 fitore e 10 humbje, andaj pritet një sfidë e baraspeshuar të shtunën mbrëma.

Takimi kryesor i kësaj jave është ndërmjet Trepcës dhe Bashkimit në “Minatori”. Këto dy skuadra u përballën në finalen e ProCredit Kupës më 12 shkurt, ku ‘Xehetarët’ fituan 85:79, për të fituar Kupën për herë të katërt radhazi apo për herë të tetë në histori të klubit. Po ashtu kjo sfidë është për vendin e parë. Prizrenasit janë liderë me 15 fitore e 6 humbje, ndërsa mitrovicasit janë në vendin e dytë me 14 fitore e 7 humbje. Në tri takimet mes këtyre dy skuadrave në këtë edicion të elitës, prizrenasit kanë dy fitore dhe një mitrovicasit, ku tri ndeshjet u fituan nga vendasit.
E shtunë:
19:00 Sigal Prishtina – Proton Cable Prizreni
19:00 Peja – Vëllaznimi
E diel:
19:00 Trepça – Bashkimi
19:00 Golden Eagle Ylli – Bora



