Kampionati Botëror i Rally-t (WRC) do të mbahet për herë të parë në Ishujt Kanarie, ku deri të dielën do të zhvillohet gara e katërt nga gjithsej 14 garat e sezonit, e cila shënohet nga rikthimi i francezit Sebastien Ogier.
Pas një pauze tre mujore, tetë herë kampioni francez i rally-t rikthehet në skenën e WRC këtë fundjavë pas fitores që arriti në fund të janarit në garën e njohur të Monte Carlos, gara e parë e këtij viti.
“Gjithmonë është emocionuese të marrësh pjesë në një rally të ri, sepse askush nuk i njeh rrugët dhe duhet të nisesh nga e para,” tha piloti i Toyotës. “Shpresoj të jem konkurrues dhe të luftoj për fitoren”.
Ai do ta ketë të vështirë, pasi favoriti është britaniku Elfyn Evans, shoku i tij i skuadrës dhe aktualisht lider në kampionat.
Evans ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer me dy fitore në rally-n e Suedisë dhe të Kenias dhe tashmë ka një epërsi prej 36 pikësh ndaj kampionit aktual belg Thierry Neuville (Hyundai), një diferencë rekord për këtë fazë të sezonit.
Etapa e parë do të nisë të premten në mëngjes, dhe gjithsej do të ketë 18 etapa me një total prej pak më shumë se 300 kilometra garë.



