Milot Rashica është duke e kaluar sezonin e dytë në fanellën e Besiktasit. Për dallim nga eksperienca që e kaloi në Galatasaray për një vit, e cila ishte e jashtëzakonshme, përvoja në ekipin tjetër nga Stambolli deri tash nuk ishte prej më të mirave për sulmuesin kosovar.
Për këtë arsye, gazetari turk Serdar Saridah thotë se s’do të befasohej nëse ish-futbollisti i Werder Bremenit e Norwich Cityt do të largohej nga Besiktasi në këtë muaj, pasi sipas tij, kontributi i vushtrriasit tek bardhezinjtë nuk është mjaftueshëm i kënaqshëm.
“Takimi i drejtuesve të klubit është mbajtur dje dhe aty është vendosur për lojtarët që nuk do të shiten. Të tjerët mund të shiten nëse vejnë oferta. Chamberlain e Onana janë prioritete, ndërsa Immobile është po ashtu në listë, por pa humbur para. Musrati, Masuaku, por edhe Rashica. Shikoni, mos u befasoni nëse largohet Rashica. Ai po luan, por krahu i djathtë i sulmit nuk po shihet gjëkundi. Nuk do të surprizohesha nëse Rashica shkon dhe Adama Traore vjen”, ka deklaruar gazetari turk.

28-vjeçari ka kontratë me Besiktasin deri në vitin 2027.
Ai i ka zhvilluar 20 ndeshje në këtë sezon me ekipin turk, ndërsa e ka shënuar një gol në Superligën turke dhe i ka bërë pesë asistime, 4 në Super Lig dhe një në kualifikimet e Ligës së Evropës.



