Sa kushton mirëmbajtja e një veture elektrike pas shumë vitesh përdorimi? Përgjigjen e ka dhënë pronarja e një Tesla Model 3 Long Range Dual Motor, të vitit 2018, e cila ka përshkuar rreth 267.400 kilometra.
Sipas llogaritjeve të saj, për tetë vite përdorimi ka shpenzuar rreth 4.500 euro për mirëmbajtje dhe servis, ose mesatarisht 550 euro në vit. Kjo i bie vetëm 1,63 euro për çdo 100 kilometra të përshkuar.
Shpenzimin më të madh e përbëjnë gomat. Vetëm gjatë vitit të fundit, për 27.400 kilometra të përshkuar, ajo ka shpenzuar rreth 900 euro. Prej tyre, 700 euro kanë shkuar për goma të reja, ndërsa pjesa tjetër për rregullimin e gjeometrisë së rrotave dhe mbushjen me lëng ftohës.
Veturën ajo e karikon kryesisht në shtëpi, në Arizona, ku energjia elektrike ka tarifë më të favorshme. Në periudhën e fundit ka konsumuar 4.715 kWh energji, me një kosto prej rreth 500 eurosh.
Pronarja ka publikuar edhe shpenzimet për Tesla Model 3 Standard Range Plus të vitit 2019, e cila ka përshkuar rreth 125.800 kilometra. Mirëmbajtja totale e saj ka kushtuar rreth 1.700 euro.
Veturat elektrike nuk kërkojnë ndërrim të vajit të motorit, filtrave të karburantit apo rripit të dhëmbëzuar, çka ul ndjeshëm shpenzimet e mirëmbajtjes.
Megjithatë, ekziston edhe rreziku i riparimeve të kushtueshme. Defektet në baterinë e tensionit të lartë, motorët elektrikë apo elektronikën mund të kërkojnë shuma të mëdha, sidomos pas përfundimit të garancisë.
Duhet theksuar se këto llogaritje përfshijnë vetëm mirëmbajtjen dhe servisin, pa sigurimin, regjistrimin, zhvlerësimin dhe shpenzimet e përgjithshme të energjisë elektrike gjatë gjithë periudhës së përdorimit.



