Edhe pse të dy titujt kampionë janë vendosur, tri garat e fundit të sezonit në Las Vegas, Katar dhe Abu Dhabi pritet të sjellin rivalitet të madh për pozitat e mbetura në Formula 1.
Pesë pilotë në luftë për vendin e dytë
Kimi Antonelli tashmë e ka siguruar titullin kampion, duke u bërë kampioni më i ri në historinë e Formula 1. Ndërkohë, lufta për vendin e dytë mbetet e hapur mes Max Verstappenit, George Russellit, Lewis Hamiltonit, Charles Leclercut dhe Lando Norrisit.
Të gjithë këta janë brenda 33 pikëve, ndërsa deri në fund kanë mbetur edhe 75 pikë në dispozicion.
Verstappen, megjithatë, ka deklaruar se nuk e shqetëson nëse përfundon i dyti, i treti apo i katërti, pasi dëshiron vetëm të shijojë garat e fundit dhe të luftojë për fitore.
Piastri dhe Hadjar kërkojnë fitoren e parë
Oscar Piastri dhe Isack Hadjar janë dy pilotët e vetëm të ekipeve kryesore që ende nuk kanë fituar ndonjë garë këtë sezon.
Piastri ka pasur vështirësi të përshtatet me makinat e reja të Formula 1, ndërsa Hadjar është penguar edhe nga lëndimi që e detyroi të mungonte në tri gara.
Megjithatë, francezi u rikthye fuqishëm duke siguruar një podium në Brazil. Tash të dy kanë edhe tri mundësi për të kërkuar fitoren e parë.

Red Bull dhe McLaren në duel për vendin e tretë
Një tjetër luftë interesante zhvillohet mes Red Bullit dhe McLarenit për vendin e tretë në kampionatin e konstruktorëve.
Red Bull ka 415 pikë, vetëm 17 më shumë se McLaren, që ka 398. Ferrari renditet i dyti me një epërsi prej 95 pikësh ndaj Red Bullit.
McLaren tregoi përmirësime të rëndësishme në Brazil, ku Lando Norris arriti fitoren, ndërsa në Las Vegas priten edhe pjesë të reja për makinën MCL40.
Kështu, pavarësisht se titujt kampionë janë vendosur, tri garat e fundit të sezonit premtojnë rivalitet të fortë për pozitat përfundimtare.



