Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministrat Hysen Durmishi dhe Jeton Raka, dhe deputetët e Kuvendit Arbër Rexhaj e Artan Abrashi, përuruan sot urën në Rogovë të Hasit.
Me këtë rast, kryeministri Kurti falënderoi banorët e Rogovës për mikpritjen e përzemërt dhe i uroi për urën mbi lumin Drin me gjatësi të gjithmbarshme rreth 134 metra, që e lidh zonën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren.
“Në fund të vitit 2023 është nënshkruar kontrata, në prill të vitit 2024 kanë filluar punimet dhe falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti. Dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025, po e lëshojmë në përdorim këtë urë e cila e ka gjerësinë 10 metra, prej tyre 6.5 metra është për automjete, e 3.5 metra nga 1.75 metra në të dy anët, është për këmbësore”, deklaroi kryeministri.
Këtë urë kaq të vonuar, kryeministri në detyrë Kurti e cilësoi lajm të mirë për të gjithë banorët e Rogovës dhe ata të cilët e vizitojnë.
Vlera e këtij projekti ka qenë 989 mijë euro dhe ka qenë kërkesë e kahmotshme e banorëve të Hasit dhe zonave përreth. /AutoPortali/



