Australiani Oscar Piastri triumfoi në garën për Çmimin e Madh të Arabisë Saudite. Ishte kjo fitorja e tretë në kampionatin e sivjetmë, duke marrë edhe kryesimin në renditjen e pilotëve.
Kjo ishte fitorja e pestë në total për Piastrin që prej se është bërë pjesë e Formula 1, ndërsa pas garës ai theksoi se kjo ishte gara më e vështirë në karrierën e tij.
“Patëm një fillim të vështirë. Ishte shumë e vështirë të ndiqje Max (Verstappen), por pas ndalesës në bokse kishim ajër të pastër, në përgjithësi, një fundjavë e bukur”, ka thënë Piastri.
“Një nga përmirësimet më të mëdha ishte funksionimi i sistemit të furnizimit me ujë, por gjithsesi ishte një nga garat më të vështira të karrierës sime”, ka shtuar piloti australian.
Tani, Piastri është lideri i kampionatit të paktën për dy javë, pasi gara e ardhshme do të zhvillohet në Majami pas një pushimi të shkurtër.



