Piloti i McLarenit, Oscar Piastri, ka deklaruar se ai dhe shoku i tij i skuadrës Lando Norris, ende mund të garojnë lirisht kundër njëri-tjetrit në garën për titullin kampion.
Norris kërkoi falje pasi përplasi makinën e Piastrit para 11 ditësh në Montreal. Për shkak të atij incidenti, Norris e përfundoi garën, ndërsa Piastri e zuri vendin e katërt dhe e rriti avantazhin në renditjen e përgjithshme në 22 pikë ndaj shokut të tij të ekipit.
Në konferencën për shtyp para Çmimit të Madh të Austrisë në Spielberg, Piastri hodhi poshtë aludimet se incidenti mund t’i shtyjë drejtuesit e McLarenit të rishqyrtojnë “rregullat papaja” që lidhen me përballjet mes pilotëve të njëjtës skuadër. Ai gjithashtu mohoi që ka ardhur momenti që ekipi të fillojë ta favorizojë atë në garën për titull.
“Rregullat mbeten të njëjta si gjithmonë. Ajo që ndodhi në Kanada nuk ishte ideale, por ne ende mund të garojmë lirisht, të dy jemi ende në luftë për titullin. Do të vazhdojmë të garojmë dhe do të kujdesemi që të mos përplasemi sërish”, tha Piastri.
“Rregulli i parë, qoftë i shkruar apo jo, është që dy makina të së njëjtës skuadër nuk duhet të përplasen”, shtoi piloti australian.
Asnjë pilot i McLarenit nuk ka fituar titullin që nga viti 2008, kur këtë e bëri Lewis Hamilton.
Rivali më i afërt i dyshes së McLarenit është kampioni aktual, Max Verstappen nga Red Bulli, i cili është 43 pikë prapa Piastrit.

“Edhe pse në fund mund të jetë vetëm njëri nga ne që e fiton titullin, mendoj se do të duhej të ndryshonte shumë situata që të nisin ato bisedime, dhe ato janë shumë larg për momentin. Tani për tani, gjithçka që mund të kërkoj është një shans i drejtë për të tentuar të fitoj titullin dhe këtë e dua. Pra, jo, nuk jam aspak gati të hyj në ato biseda”, tha Piastri.
Gara për Çmimin e Madh të Austrisë zhvillohet të shtunën në orën 15:00.



