Oscar Piastri mund të barazojë një rekord të McLaren që mbahet vetëm nga Ayrton Senna nëse fiton Çmimin e Madh të Emilia Romanjas, garë që do të mbahet këtë fundjavë në Itali. Triumfi i Oscar Piastrit në garën e kaluar në Majami ishte i treti radhazi për australianin dhe është hera e parë pas 27 vitesh që një pilot i McLarenit e arrin këtë sukses.
Asokohe Mika Hakkinen fitoi garën e fundit të sezonit 1997 në Herez përpara se të fitonte dy garat e para të kampionatit 1998 në Australi dhe Brazil në rrugën drejt titullit të tij të parë botëror.
Duke u drejtuar në Çmimin e Madh të Emilia Romanjas këtë fundjavë, Piastri synon fitoren e katërt radhazi dhe të bëhet piloti i parë që e arrin këtë që pas nëntë triumfeve radhazi të Max Verstappenit mes garës së Japonisë 2024 dhe deri në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite në vitin 2024.
Nëse shënon fitore këtë të diel në Itali, Piastri do të bëhej piloti i dytë në histori për McLarenin që fiton katër gara radhazi që nga koha e Ayrton Sennas në vitin 1991. Atë vit, Senna e nisi sezonin me katër fitore radhazi, në SHBA, në Interlagos, në Imola dhe Monako. Duke u shtuar edhe tri suksese të tjera atë sezon, Senna siguroi titullin e tretë dhe të fundit botëror.
Për pilotin legjendar të Formulës 1 nuk ishte hera e parë që fitonte 4 gara radhazi me McLarenin, pasi diçka të tillë e kishte bërë edhe në vitin 1998, kur triumfonte në Britani, Gjermani, Hungari dhe Belgjikë gjatë një serie prej gjashtë fitoresh në shtatë gara. Ai fitoi në Kanada dhe Detroit, përpara se një vend i dytë pas Alain Prost në Francë të ndërpriste serinë para eventit në Silverston.

Përveç Sennas dhe para Piastrit, vetëm Hakkinen ka fituar tri gara radhazi për McLarenin, ndërsa Lewis Hamilton ka fituar vetëm gara radhazi gjatë periudhës së tij gjashtëvjeçare me ekipin britanik.
Nëse Piastri fiton në Imola, katër fitoret e tij radhazi do ta çojnë atë vetëm një fitore pas rekordit të të gjitha kohërave prej pesë fitoresh, të mbajtur nga Sir Jack Brabham. Ky i fundit ka shkruar historinë me sukseset e njëpasnjëshme në Holandë, Belgjikë, Francë, Britani dhe Portugalisë, në rrugën e tij drejt titullit të tij të dytë botëror në vitin 1960.



