Real Madrid njofton largimin e Lucas Vazquez
R

Real Madrid njofton largimin e Lucas Vazquez

Real Madridi ka zyrtarizuar largimin e Lucas Vazquez, një prej figurave më të qëndrueshme dhe të respektuara të skuadrës gjatë dekadës së fundit.

Për nder të tij, klubi do të organizojë një ceremoni lamtumire më 17 korrik në kompleksin stërvitor Ciudad Real Madrid, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti Florentino Perez, bashkë me bashkëlojtarë, staf dhe drejtues të lartë të klubit.

Në njoftimin zyrtar, Real Madridi e ka vlerësuar lart kontributin e Lucas Vazquez, duke e cilësuar si “një nga legjendat e mëdha të historisë së klubit”, si dhe një shembull i përkushtimit, profesionalizmit dhe dashurisë për fanellën “blancos”, raporton AutoPortali.

Lucas Vazquez iu bashkua Real Madridit që në moshën 16-vjeçare, në vitin 2007, duke kaluar nëpër të gjitha nivelet e akademisë, nga Juvenil C deri te skuadra e dytë, Castilla. Pasi kaloi një sezon si i huazuar te Espanyol, ai debutoi me ekipin e parë në shtator të vitit 2015, dhe që nga ajo kohë u bë një figurë kyçe në rotacionin e skuadrës.

Gjatë karrierës së tij me Real Madridin, Vazquez zhvilloi 402 ndeshje zyrtare, duke dhënë gjithmonë maksimumin në fushë, qoftë si titullar, qoftë si zëvendësues vendimtar në ndeshje të mëdha.

Ai shquhej për shpirtin luftarak, besnikërinë ndaj klubit dhe fleksibilitetin në pozicione të ndryshme.

Bilanci i tij është mbresëlënës, 5 Liga të Kampionëve, 5 Kupa Bote për Klube, 4 Superkupa Evropiane, 4 tituj të La Ligës, 1 Kupë të Mbretit, 4 Superkupa të Spanjës

Këto arritje e rreshtojnë atë krah lojtarëve më të suksesshëm në historinë moderne të klubit.

Largimi i Lucas Vazquez shënon fundin e një epoke për një lojtar që gjithmonë i ka qëndruar besnik emblemës së klubit dhe ka qenë një shembull për të rinjtë që rriten në akademinë e Realit.

Klubi dhe tifozët do ta kujtojnë gjithmonë me respekt të veçantë.

TË FUNDIT