Real Madridi ka zbuluar shifrat përfundimtare të rindërtimit të stadiumit “Santiago Bernabéu”, me një kosto totale prej 1.347 miliardë eurosh deri më 30 qershor 2025.
Ky investim i nisur në vitin 2019 përfshiu ndërtimin e çatisë së re, një fasadë moderne dhe një fushë tërheqëse, punime të cilat tashmë janë përfunduar me sukses, transmeton AutoPortali.
Aktualisht, puna është përqendruar në zhvillimin e zonave komerciale, duke përfshirë hapësirat VIP, përvojën interaktive “RM Experience”, zonat për evente të ndryshme, gastronominë dhe një dyqan zyrtar të ri.
Këto janë pjesë thelbësore e modelit të ri të të ardhurave, që synon të rrisë të ardhurat përtej futbollit.
Një pjesë e madhe e investimit u financua përmes një kredie prej 1.17 miliardë eurosh, tërhequr plotësisht deri në nëntor 2023.
Pas disa vitesh pagesash vetëm të interesit, klubi ka nisur shlyerjen e kapitalit, duke paguar 15 milionë euro në sezonin 2023/24 dhe parashikuar 23 milionë euro për sezonin 2024/25. Borxhi i mbetur deri më 30 qershor 2025 është 1.132 miliardë euro.
Projekti “Santiago Bernabéu” është konceptuar si një hapësirë multifunksionale globale, jo vetëm për futboll.
Pas organizimit të koncerteve të mëdha, përfshirë atë të Taylor Swift, Real Madridi është duke përfunduar hapësirat për restorante dhe punon për uljen e zhurmës gjatë ngjarjeve, në përputhje me ligjet dhe për të qetësuar komunitetin.
Një pjesë kyçe e strategjisë së klubit është rikthimi i koncerteve në stadium, si burim i rëndësishëm i të ardhurave jashtë fushës. Për më tepër, klubi po planifikon organizimin e një ndeshjeje NFL në Bernabéu, duke e bërë stadiumin një qendër globale multifunksionale dhe të njohur për ngjarje të ndryshme. /AutoPortali



