Yuki Tsunoda, piloti i Red Bullit në Formula 1, ka zbuluar se skuadra po përballet me probleme të cilat nuk po arrijnë t’i zgjidhin.
Tsunoda zhvilloi edhe një garë për t’u harruar, kësaj here në Hungari ku përfundoi në vendin e 17-të me makinën e tij Red Bull dhe zbuloi një detaj të rëndësishëm.
Piloti japonez voziti një makinë të dëmtuar, pasi problemi ndodhi në fazën e mesme të garës dhe dëmtimi ndikoi ndjeshëm në performancën e tij.
“Të jem i sinqertë, patëm shumë vështirësi për të arritur shpejtësinë e duhur dhe, për më tepër, të kesh edhe dëmtime nuk ndihmon aspak. Kur ndodhi ajo, gara për mua mori fund”, shpjegoi Tsunoda.
Si Yuki ashtu edhe Max Verstappen patën probleme gjatë gjithë fundjavës.

“Askush nuk e di se për çfarë bëhet fjalë. Po të dinim, do kishim pasur një rezultat më të mirë. Do të kthehemi në fabrikë për të bërë analizat, për të parë çfarë ka ndodhur dhe shpresojmë të gjejmë një zgjidhje. Në Holandë kemi një pistë të ngjashme dhe nuk duam të përjetojmë të njëjtat probleme,” shtoi Yuki Tsunoda.
Aktualisht, ai renditet në vendin e 18-të në klasifikimin e përgjithshëm me 10 pikë të fituara, ndërsa Max Verstappen është i treti me 187 pikë, 97 më pak se lideri, Oscar Piastri.



