Red Bull shmang dramën: “Kjo nuk ka kuptim”
R

Red Bull shmang dramën: “Kjo nuk ka kuptim”

Helmut Marko, këshilltari i Red Bull-it, ka konfirmuar se nuk do të ketë një tjetër ndërrim pilotësh në ekip.

Cunoda mori vendin në Red Bull pas Çmimit të Madh të Kinës (në vend të Liam Lawsonit), por në nëntë garat që prej atëherë ka grumbulluar vetëm shtatë pikë, duke u eliminuar në Q1 në tre nga pesë kualifikimet e fundit.

Ndërkohë, Lawson ka shkëlqyer. Në Austri ai arriti rezultatin më të mirë në karrierën e tij duke u renditur i gjashti, ndërsa Cunoda përfundoi vetëm në vendin e gjashtëmbëdhjetë.

Për shkak të rezultateve të dobëta, Cunoda është vënë nën presion gjithnjë e më të madh nga mediat, sidomos pasi Isak Hadjar po lë mbresa te Racing Bulls, ndërsa Lawson po shihet gjithnjë e më shumë si kandidat serioz për t’u rikthyer.

Megjithatë, Helmut Marko deklaroi për Sky Deutschland se Red Bull nuk ka në plan të bëjë një tjetër ndryshim dhe se zëvendësimi i Lawsonit ishte vendim i drejtë:

“Ndërrimi i pilotëve tani nuk do të kishte kuptim. Ne vepruam absolutisht siç duhet me Lawsonin, sepse në atë kohë ai ishte plotësisht i rraskapitur. I duheshin disa gara për t’u rikuperuar, por tani mbrojti në mënyrë të shkëlqyer vendin e gjashtë ndaj Fernando Alonsos me vetëm një ndalesë në bokse. Mendoj se as ai nuk do të mund ta përballonte Max-in”, tha Marko.

 

Me këtë deklaratë, Red Bull tregon se ende ka besim te Cunoda, edhe pse rezultatet janë larg pritshmërive.

Marko i atribuon problemet e Cunodës mungesës së vetëbesimit, veçanërisht kur rritet presioni:

“Jukit i mungon vetëbesimi. Duhet të mendojmë si ta stabilizojmë, që të japë paraqitje të mira gjatë gjithë fundjavës së garës, sepse pjesërisht këtë e tregon në stërvitjet e lira. Pësoi një incident serioz në Imola dhe të gjitha këto janë grumbulluar. Por shpejtësia ekziston, e shohim në stërvitje. Kur vjen presioni, gjithçka ndryshon”.

TË FUNDIT