Fisnik Asllani futbollisti i Kombëtares së Kosovës, ka pasur një sezon shumë të suksesshëm në futbollin evropian, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve dhe ekspertëve.
22-vjeçari, i cili luajti i huazuar te Elversberg në Bundesliga 2, regjistroi një statistikë mbresëlënëse me 18 gola dhe 10 asistime në 37 ndeshje gjatë sezonit të kaluar, përcjell AutoPortali.
Ky paraqitje e shkëlqyer nuk ka kaluar pa u vënë re nga platforma e njohur për vlerësimin e futbollistëve, Transfermarkt, e cila e ka rritur vlerën e Asllanit në 8 milionë euro, dyfishin e vlerës që kishte më parë (4 milionë euro).
Pas këtij sezoni të shkëlqyer, sulmuesi kosovar është rikthyer në skuadrën e Hoffenheim, por e ardhmja e tij për sezonin 2025/26 mbetet ende e pasigurt.
Disa klube të njohura janë shprehur të interesuara për shërbimet e tij, por ende nuk ka vendim përfundimtar mbi destinacionin e tij të ri.
Ndër klubet që kanë shfaqur interesim për Asllanin janë skuadrat gjermane Stuttgart dhe Werder Bremen, si dhe klubi francez Lille dhe ekipi turk Fenerbahçe.

Në pritje të vendimit të Hoffenheimit dhe ofertave të ardhshme, Asllani vazhdon të jetë një nga talentet më premtuese të futbollit kosovar dhe një emër që premton shumë në të ardhmen.



