Stadiumi legjendar i Real Madridit, “Santiago Bernabeu”, pritet të jetë mikpritësi i finales së Kampionatit Botëror 2030.
Lajmi është raportuar nga gazetari i njohur Jose Felix Diaz, duke iu referuar burimeve të afërta me FIFA-n dhe klubin madrilen, transmeton AutoPortali.
Edhe pse vendimi nuk është zyrtar, marrëveshja mes FIFA-s dhe Real Madridit thuhet se tashmë është arritur, duke i dhënë Bernabeut përparësi për të mirëpritur ndeshjen më të rëndësishme të futbollit botëror.
Për herë të parë, do të organizohet nga tri shtete, Spanjë, Portugalia dhe Maroku.
Brenda Spanjës, disa qytete si Madrid, Barcelona, Bilbao, Sevilla, Zaragoza, La Coruña, Malaga dhe të tjera janë përzgjedhur për të pritur ndeshjet e turneut.
Megjithatë, për finalen e madhe, të gjitha shenjat tregojnë drejt “Santiago Bernabeu”, ky stadium është totalisht i rinovuar dhe ka qenë skenë e shumë ngjarjeve të mëdha sportive dhe kulturore ndër vite. Kapaciteti, teknologjia moderne, lokacioni në zemër të kryeqytetit dhe përvoja organizative e bëjnë atë një kandidat ideal.
Barcelona kishte propozuar gjithashtu stadiumin e saj “Spotify Camp Nou”, i cili është në proces rinovimi, por, sipas raportimeve infrastruktura më e avancuar dhe marrëdhëniet e ngushta mes FIFA-s dhe Real Madridit kanë qenë faktorë vendimtarë që e vendosin Bernabeun në pozicionin favorit.
Finalja e Kupës së Botës është një nga ngjarjet më të ndjekura në botë, dhe zgjedhja e stadiumit pritës mbart peshë të madhe simbolike dhe organizative.
Nëse marrëveshja konfirmohet, do të jetë hera e parë që “Santiago Bernabeu” mirëpret një finale të Botërorit, duke shtuar edhe një faqe tjetër të lavdishme në historinë e tij. /AutoPortali



