Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher, është i bindur se Max Verstappen ende po e konsideron seriozisht mundësinë e largimit befasues nga Red Bull.
E ardhmja e katër herë kampionit botëror ka qenë prej javësh tema kryesore në qarqet e F1, veçanërisht pasi Verstappen është lidhur intensivisht me Mercedesin.
Shefi i Mercedesit, Toto Wolff, së fundmi ka konfirmuar se janë zhvilluar bisedime me Verstappenin, gjë që e ka pohuar edhe menaxheri i tij, Raymond Vermeulen.
Është përhapur edhe një teori nga ish-piloti Gerhard Berger se Christian Horner është larguar pikërisht për të mbajtur Verstappenin në ekip, por Schumacher dyshon në këtë.
Gjermani beson se largimi i Hornerit dhe spekulimet për të ardhmen e Verstappenit nuk janë të lidhura, dhe se kalimi në një skuadër tjetër mbetet ende një opsion real.
Megjithatë, Schumacher thekson se Verstappen dëshiron të qëndrojë në Red Bull, por se rindërtimi i ekipit mund të jetë një faktor kyç në vendimin e tij.

“Nuk mendoj se njëra gjë ka lidhje me tjetrën. As Max-it nuk i bëri shumë përshtypje ajo. Max, natyrisht, dëshiron të qëndrojë te Red Bull, nëse është e mundur. Aty ka filluar gjithçka dhe ai i detyrohet shumë Red Bull-it. Por kjo krizë që po kalon Red Bull do të zgjasë për ca kohë, kam frikë. Në historinë e Formula 1, zakonisht duhen dy deri në tre vjet që një ekip të rikthehet në majë. Natyrisht, mund të ndodhë që ndryshimet e rregullave vitin e ardhshëm të sjellin një kthesë. Por mua kjo më duket e parealizueshme. Sepse gjatë një viti e gjysmë të fundit, Pierre Waché (drejtori teknik i Red Bull-it) nuk ka arritur të ndërtojë një makinë që të jetë me të vërtetë e manovrueshme dhe konkurruese. Prandaj ende mendoj se Max, pas fundjavës së kaluar, po e shqyrton seriozisht largimin nga Red Bull”, tha Schumacher për Sky Deutschland.



