Shefi i Ferrarit shprehet i qetë për situatën te skuadra e tij
S

Shefi i Ferrarit shprehet i qetë për situatën te skuadra e tij

Skuadra e Ferrarit solli Lewis Hamiltonin dhe paralajmëroi gjëra të mëdha, por deri tani ka arritur vetëm një fitore në sprint dhe një podium në Arabinë Saudite.

Aktualisht ndodhen në vendin e katërt në tabelën e Formula 1 dhe nuk janë konkurrentë seriozë as për Red Bullin, as për Mercedesin, e as për McLarenin. McLareni ka 188 pikë, Mercedesi 111, Red Bull 89, ndërsa Ferrari vetëm 78 pikë.

“Kemi gjithçka që na duhet, i kemi mbledhur të gjithë përbërësit dhe tani më në fund duhet të fillojmë të ‘gatuajmë’. Sinqerisht, nuk kam ndjesinë se kemi nxjerrë maksimumin nga makina, përveç në disa raste të veçanta. Edhe McLareni ka momente kur has vështirësi. Dhe kjo është, thjesht, pjesë e garës”, tha Frederic Vasseur për Racingnews365.

Ky është sezoni i fundit me rregulloret aktuale teknike në Formula 1 dhe nga sezoni i ardhshëm do të hyjnë në fuqi rregulla të reja, që pritet të ndryshojnë gjithçka.

“Disa vite më parë mund të kualifikoheshe në rundin e parë me një set gomash mesatarisht të forta, bëje një xhiro dhe kaloje në Q2. Tani disa skuadra kanë nga dy sete gomash të buta. Konkurrenca është shumë serioze dhe një gabim i vogël mund të të kushtojë 5-6 pozicione. Jemi të fokusuar në performancën, 5 të qindtat e sekondës nuk janë ndonjë dramë. Duhet të jemi të qetë dhe të analizojmë gjërat për të përparuar. Shpresoj që do t’ia dalim”, përfundoi Vasseur.

TË FUNDIT