Përfaqësuesja e Italisë në basketboll për femra ka arritur një sukses historik duke u kualifikuar në gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian “EuroBasket Women 2025”.
Të premten në mbrëmje, në Athinë, Italia do të përballet me kampionen në fuqi, Belgjikën, në një ndeshje vendimtare që fillon sonte nga ora 19:30, e cila do të përcaktojë njërën nga finalistet e turneut, transmeton AutPortali.
Në qendër të këtij suksesi qëndron Lorela Cubaj, basketbollistja 26-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila ishte ndër lojtaret më të dalluara të ndeshjes kundër Turqisë.
Cubaj, e lindur në Terni të Italisë, fillojë karrierën e saj në ekipin lokal Pink Basket Terni, përpara se të niste një karrierë ndërkombëtare të pasur.
Në ndeshjen e së martës, ajo ishte vendimtare në vazhdime, kur shënoi gjashtë pikë radhazi, ndërsa përfundoi ndeshjen me gjithsej 16 pikë.
Në një intervistë për sportive Corriere dello Sport, Cubaj ka theksuar përkushtimin dhe motivimin e saj për të ndihmuar ekipin që të arrijë finalen:
“Kushdo që e meriton më shumë, do të shkojë në finale. Kështu është për ne, dhe kështu është për kundërshtaret tona. Ne nuk kemi ndërmend të ndalemi, edhe pse e dimë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë kundër një skuadre të mbushur me talente”, ka deklaruar ajo.
Cubaj, e cila nuk kishte lindur ende kur Italia luajti për herë të fundit në një gjysmëfinale të EuroBasketit, e ndien përgjegjësinë e përfaqësimit të një brezi të ri:
Përveç sfidës mes Italisë dhe Belgjikës, gjysmëfinalja tjetër e EuroBasket 2025 do të zhvillohet më herët, nga ora 16:30, dhe do të përballë dy nga kombëtaret më të suksesshme të dekadës së fundit – Spanjën dhe Francën.
Kampionati është në kulmin e tij dhe sytë janë tashmë të drejtuar nga Athina, ku Cubaj dhe shoqet e saj synojnë ta rikthejnë Italinë në finalen e madhe dhe, ndoshta, drejt një medaljeje tjetër historike.



