Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës do të dhurojnë spektakël të basketbollit, ku katër skuadra duan kualifikimin në finalen e madhe.
Gjysmëfinalet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje dhe kush është më e mirë në dy takimet, kualifikohet në finale.
Gjysmëfinalja më interesante pritet të jetë ajo mes skuadrave rivale të vjetra, Sigal Prishtinës dhe Trepçës, ku pritet një super sfidë në Palestrën “1 Tetori”.
Dy skuadrat kanë traditë në basketbollin e Kosovës dhe do të luftojnë për fitoren në ndeshjen e parë, që është shumë e rëndësishme.
Prishtinasit në çerekfinale eliminuan Pejën, derisa mitrovicasit skuadrën e Proton Cable Prizrenit.
Në ProCredit Superligë të dy skuadrat kanë nga një fitore ndaj njëra-tjetrës.
Gjysmëfinalja tjetër po ashtu pritet të jetë mjaft interesante mes Vëllaznimit dhe Bashkimit në Gjakovë.
Këto dy skuadra u përballën të dielën në Prizren, ndeshje që përfundoi me fitoren e vendasve 84:73, ndërsa në dy takimet tjera në elitë, dy skuadrat kishin nga një fitore ndaj njëra-tjetrës.
Kuqezinjtë në çerekfinale eliminuan Golden Eagle Yllin, ndërsa prizrenasit eliminuan Borën.
Gjysmëfinalet:
19:00 Sigal Prishtina – Trepça
19:00 Vëllaznimi – Bashkimi



