Sylvinho e vlerëson Letoninë, flet për mungesën e Gjimshitit dhe zëvendësimit të tij si kapiten
S

Sylvinho e vlerëson Letoninë, flet për mungesën e Gjimshitit dhe zëvendësimit të tij si kapiten

Kombëtarja shqiptare ka lënë pas rezultatin e së shtunës dhe ka nisur tashmë përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Letonisë.

Skuadra kuqezi ndodhet në kryeqytetin letonez, Riga, ku që prej ditës së djeshme ka nisur stërvitjet dhe ka mbajtur edhe konferencën për shtyp në prag të sfidës që zhvillohet nesër, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Në konferencë dolën për media trajneri Sylvinho dhe mesfushori Kristjan Asllani. Trajneri brazilian vlerësoi kundërshtarin dhe theksoi rëndësinë e ndeshjes që i pret. 

“Letonia është një ekip fizik, me lojtarë të fortë dhe të gjatë, që sjellin avantazh në duelet ajrore. Mund të ndryshojnë skemat – luajnë me 3-5-2 apo 3-4-3. Janë një skuadër e organizuar mirë, me një trajner italian dhe stil loje të strukturuar. Kanë disa lojtarë të shpejtë në krahun e majtë që mund të bëjnë diferencën. Është një sfidë e vështirë, por jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, u shpreh Sylvinho. Më tej, ai foli edhe për presionin që shoqëron kombëtaren në këtë periudhë. “Kur je pjesë e një Kombëtareje, presioni është i natyrshëm. Kemi zhvilluar tre ndeshje deri tani, dhe na presin edhe pesë të tjera. Futbolli nuk të jep shumë kohë, ndaj duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë. Letonia ka fituar ndaj Andorrës dhe do ta kërkojë rezultatin, por edhe për ne kjo ndeshje është vendimtare. Në krahasim me dy vite më parë, skuadra është më e pjekur dhe di të përballojë më mirë presionin dhe emocionet.”

Trajneri kuqezi komentoi gjithashtu mungesën e Berat Gjimshitit dhe foli për zëvendësimet e mundshme.
“Kemi disa opsione, dy ose tre emra që mund ta zëvendësojnë. Do të shohim pas stërvitjes së sotme. Kjo është ndeshja e dytë brenda pak ditësh dhe koha është shumë e shkurtër për të marrë vendime të qarta, por do të përpiqemi të bëjmë zgjedhjen më të mirë.” Ndeshja Letoni – Shqipëri do të luhet nesër, duke filluar nga ora 20:45.

TË FUNDIT