Organizuar nga Auto Klubi Vjosa, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK), të dielën në Jezerc mbahet gara në disiplinën Off Road, “Vjosa 2025”, e cila është në kalendarin e FASK-ut.
Kryetari i AK Vjosa, Ramiz Smajli, tashmë janë bërë pothuaj të gjitha përgatitjet e nevojshme.
“Për nder të 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Shtimes, të dielën, më 15 qershor, në Jezerc do të mbahet gara në disiplinën Off Road, ‘Vjosa 2025’. Gara organizohet nga AK Vjosa në bashkëpunim me FASK-un. Kjo është hera e tretë që klubi ynë organizon garë nën ombrellën e Federatës dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Smajli për AutoPortali.com
Ai ka shtuar se interesimi për pjesëmarrje pritet të jetë i madh, ndërsa gara mbahet në dy kategori.

“Interesimi është mjaft i madh. Deri tash, për pjesëmarrje janë paraqitur mbi 60 garues. Përveç nga Kosova, do të kemi edhe pjesëmarrës nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Gara mbahet në dy kategori, në HARD dhe SOFT dhe pritet të jetë shumë atraktive”, ka shtuar Smajli, duke theksuar se gara e së dielës fillon në orën 09:00.
Tradicionalisht, edhe interesimi i dashamirëve të kësaj disipline ka qenë i madh dhe kështu pritet të jetë edhe kësaj radhe.



