Gara e parë në disiplinën auto sllallom, nga katër sa janë paraparë për sivjet, shënon edhe nismën e Kampionatit të Kosovës në automobilizëm për vitin 2025.
Auto Klubi Ferizaj, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) janë organizatorë të garës, për të cilën përgatitjet tashmë pothuaj kanë përfunduar.
Kryetari i klubit, Sadat Rysha, është optimist se gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë.
“Besoj që do të jetë garë shumë e mirë, qoftë në aspektin organizativ, qoftë në atë garues. Përgatitjet janë pothuaj në përfundim dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë si duhet. Kemi mbështetje të mjaftueshme nga Kuvendi Komunal i Ferizajt dhe sponsorë të tjerë, të cilët i falënderojmë shumë”, ka thënë Rysha.

Edhe interesimi për pjesëmarrje duket se do të jetë i kënaqshëm.
Pjesëmarrës në garë do të jetë edhe kampioni nga viti i kaluar, Valon Jaha.
“Jam i vetëdijshëm se konkurrenca do të jetë e fortë, por unë jam optimist për rezultate të mira dhe shpresoj që edhe sivjet të shpallem kampion në disiplinën e auto sllallomit”, është shprehur anëtari i Prishtina Racing Team.
Gara zhvillohet të dielën në segmentin e rrugës prej Palestrës së Sporteve “Bill Clinton”, Rruga “Brahim Ademi” deri te kryqezimi me rreth – rrotullim afer kazermës së FSK-së.



