Tragjedi në finalen e Nations League mes Portugalisë dhe Spanjës, tifozi vdes pasi bie nga tribunat
T

Tragjedi në finalen e Nations League mes Portugalisë dhe Spanjës, tifozi vdes pasi bie nga tribunat

Finalja e tensionuar e Nations League mes Portugalisë dhe Spanjës, e zhvilluar në “Allianz Arena” të Mynihut, u zymtua nga një tragjedi e rëndë.

Ndonëse ndeshja përfundoi 2-2 pas kohës së rregullt dhe shtesave, me Portugalinë që triumfoi pas gjuajtjeve të penalltive, fundi i pjesës së parë të shtesës solli një ngjarje tronditëse, tranmseton AutoPortali.

Një tifoz, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, ra nga një prej tribunave më të larta të stadiumit dhe, për fat të keq, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

UEFA konfirmoi lajmin përmes një deklarate zyrtare:

“Në stadiumin e Mynihut ndodhi një incident që kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve të urgjencës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, tifozi ndërroi jetë në orën 00:06. Mendimet tona janë me familjen e tij në këtë moment të vështirë.”

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, e nisi konferencën për shtyp me një mesazh ngushëllimi:

“Para së gjithash, dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e viktimës. Kjo tragjedi na kujton se jeta është shumë më e rëndësishme se çdo ndeshje futbolli.”

Mediat spanjolle raportuan se shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të ndihmuar të plagosurin, ndërkohë që vendi i aksidentit u mbulua për të shmangur pamjet shqetësuese. Megjithëse ngjarja u sinjalizua në tribunë, ndeshja vazhdoi.

TË FUNDIT